kthehu

Trajnimi në Psikodramë

PSIKODRAMA

Psikodrama është një modalitet (përqasje) psikoterapie grupi, teoria filozofia dhe metodologjia e së cilës janë themeluar nga Jacob Levi Moreno. Psikodrama është terapi ekzistencialiste, e cila e trajton qënien njerëzore si një e tërë, me besim të plotë në potencialet e veta. Ajo është një metodë aktive e bazuar tek aftësia për të luajtur, tek spontaniteti dhe kreativiteti si potenciale njerëzore universale.

Me ndihmën e veprimit dramatik të drejtuar, psikodrama ekzaminon (heton, vlerëson, analizon) të gjitha problemet ose çështjet që ngre individi. Psikodrama lehtëson insajtin, rritjen personale, integrimin në nivel konjitiv, afektiv dhe sjellor. Ajo ndihmon në qartësimin e çështjeve, rrit mirëqenien fizike dhe emocionale, zgjeron të mësuarin dhe zhvillon aftësi të reja. Metodat aktive bëjnë të mundur eksplorimin e ngjarjeve jetësore të së shkuarës, të së tashmes dhe të së ardhmes.

Teknikat që përdoren janë verbale dhe joverbale. Problemet dhe zgjidhjet e tyre të mundshme vihen në veprim më shumë sesa flitet për to.

Si zhvillohet një seancë psikoterapie grupi në psikodramë?

Pas regjistrimit të klientëve dhe formimit të grupit, grupi takohet në seanca të rregullta një-javore të cilatzgjatin 2 deri në 2 orë e gjysëm. Fillimisht ulen të gjithë në rreth në karrige së bashku me terapistin, ose koterapistët.

Faza e parë e seancës e cila zgjat mesatarisht 45 minutat e para, quhet ndryshe faza e nxehjes. Gjatë kësaj faze të gjithë anëtarët e grupit tregojnë për ndjenja mendime probleme të cilat kanë deshirë t’indajnë në grup. Në fillimin e jetës së një grupi anëtarët kanë nevojë të ndërtojnë marrdhënie besimi mes njëri-tjetrit. Psikodramatisti përdor ushtime të ndryshme aktive për të nxitur ndërveprimin mes anëtarëve që nuk e njohin njëri tjetrin, duke lehtësuar ndërtimin e kohezionit dhe besimit në grup.

Faza e dytë e seancës vjen si rrjedhim i vendimit të njërit prej anëtarëve të grupit për të punuar më thellë për çështjen e cila është nxitur gjatë ndarjes në grup, proces që zgjat maksimumi 90 minuta. Të qëndruarit në rreth zëvendësohet me ndarjen e ambientit në dy pjesë, skena ku punohet individualisht me personin dhe audienca ku anëtarët e tjerë të grupit vendosen përballë për të marrë pjesë më vonë në shfaqjen psikodramatikë si vëzhgues ose si ndihmës në luajten e roleve të nevojshme që protagonisti i psikodramës i ndihmuar nga terapisti do të vendosë të sjellë. Protagonisti tregon se çfarë e shqetëson më shumë në gjithë ngjarjen dhe terapisti e pyet se çfarë do të donte të arrinte përmes kësaj psikodrame. Skena reale apo të imagjinuara, personazhe realë apo të imagjinuar, të së shkuarës së tashmes apo të së ardhmes, ndërveprimet mes tyre, gjëra të pathëna, konflikte të pazgjidhura, trauma të kyçura thellë brenda vetes shpalosen njëra pas tjetrës për t’i dhënë mundësi protagonistit të mbyllë një dialog të papërfunduar, të fitojë një kuptueshmëri më të thellë të konfliktit të pazgjidhur, të korrigjojë përjetimin emocional të traumës. Dikujt nga anëtarët e grupit do t’i jepet roli i protagonistit, disa të tjerëve role të tjera të rëndësishme të dramës, dikush tjetër do të qëndrojë thjesht në rolin e vëzhguesit. Se kush do të bëjë çfarë vendoset nga vetë klienti, protagonisti i ngjarjes. Marrja e roleve të ndryshme do të bëhet ashtu si protagonsiti do t’i shfaqë ato, dialogjet ashtu si terapisti do të udhëzojë. Ndërrimi i roleve është teknika bazë, është motorri i psikodramës. Të parit të situatës nga jashtë ose teknika e pasqyrimit i jep mundësinë protagonistit ta shohë jo vetëm veten por gjithë situatën nga jashtë, nga një këndvështrim i ri. Përmes kësaj protagonisti ka eksploruar më thellë, ka kuptuar më mirë, ka mundur të komunikojë me veten në një nivel mendor të ri, të marrë vendime më të mira të integrojë gjithçka që ka ndodhur jo vetëm në nivel kongnitiv por edhe në nivel emocional.

Në fazën e tretë të gjithë anëtarët rikthehen në rreth, dhe për rreth 15 minuta ndajnë me protagonistin ndjenja mendime, ngjarje të përjetuara të cilat lidhen me ç’ka protagonisti solli në psikodramë. Si në çdo qasje humaniste anëtarët e grupit nuk japin këshilla, nuk gjykojnë, nuk bëjnë interpretime.

TRAJNIMI I PSIKODRAMËS NË TIRANË

Psikodramatistët e parë në Shqipëri:

Florian Kulla, Entela Luadhi, Aurora Bushati, Renina Varfaj, Arife Veselaj, Dalila Sinishtaj.

Trajnimi i parë për psikoterapinë në disiplinën psikodramë erdhi si një nismë e Shoqatës Shqiptare të Psikoterapisë në bashkëpunim me Institutin e Psikodramës në Beograd.

Trajnimi u zhvillua për njëperiudhë gati 6 – vjeçare duke filluar në Prill 2008 e deri në Dhjetor 2013. Trajnimi u zhvillua në dy faza.

Faza e parë – zhvillimi i kursit fillestar një – vjeçar i cili përfshiu eksperiencë personale grupi në psikodramë si dhe teori bazë në psikodramë.

Faza e dytë pasoi nga zhvillimi i kursit të AVANCUAR që përmbante eksperiencë personale grupi në psikodramë, teori në psikodramë dhe psikoterapi grupi si dhe supervizion.

Trajnimi u zhvillua në workshope të rregullta 2 ditore një herë në muaj duke kryer 10 ose 11 workshope në vit për gati 6 vjet.

Trajnuese: Ivana Slavkovic, psikodramatiste anëtare e Institutit te Psikodramës Beograd, psikoterapiste mbajtese e ECP-së.

Supervizorë:

Bojana Glusac, psikodramatiste, anëtare e Institutit te Psikodramës Beograd, psikoterapiste, mbajtese e ECP-së.

Dragoljub Nedic, psikodramatist, Drejtues i Institutit të Psikodramës Beograd, psikoterapist, mbajtës i ECP-së .

Pas mbarimit të të dy niveleve, Instituti pajisi studentët me Certifikatën e Terapistit Psikodramatist dhe krijoi mundësinë për pajisjen me CERTIFIKATEN EUROPIANE PËR PSIKOTERAPI.

INSTITUTI PER PSIKODRAME (Beograd) është EUROPEAN ACCREDITED PSYCHOTHERAPY TRAINING INSTITUTE -EAPTI (Institut Europian i Akredituar Trajnimi Psikoterapeutik) i licensuar nga Shoqata Europiane për Psikoterapinë (EAP).

Instituti për Psikodramën ka një traditë të gjatë në organizimin e trajnimeve të Psikodramës dhe aktualisht ky Institut është duke zhvilluar trajnime Psikodrame në Beograd, Novi Sad (Serbi) dhe Zagreb (Kroaci).

Programi i trajnimit të Institutit të Psikodramës është i aprovuar nga EAP si dhe nga Federata e Organizatave Europiane të Trajnimit në Psikodramë (FEPTO), organizata këto të cilat vendosin edhe standardet e trajnimit në psikodramë.

Ata të cilët trajnohen nga Instituti për Psikodramën mund të aplikojnë për tu pajisur me CERTIFIKATEN EUROPIANE PER PSIKOTERAPINE (ECP) e cila lëshohet nga EAP.

Për më shumë informacion mbi Shoqatën Shqiptare për Psikodramë mund të shkruani në:

E-mail: psikodramashqip@gmail.com

ose të kontaktoni terapistin në adresën e tij personale.