Historiku
SHSHP është krijuar në Mars të vitit 2002 si rezultat i përpjekjeve të një grupi profesionistësh të shëndetit mendor nga fushat e psikiatrisë, psikologjisë dhe punës sociale. Ky zhvillim pasoi aktivitete që kishin nisur që nga vjeshta e vitit 1998 kur u vendosën dhe kontaktet e para me Sekretarin e Përgjithshëm të EAP (Europan Association for Psychotherapy), Alfred Pritz.
Gjatë hapave të para, kjo iniciativë u mbështet fuqimisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Shëndetit Mendor (QSHZHSHM). Kjo mbështetje konsistoi kryesisht në organizimin e aktiviteteve periodike planifikuese dhe diskutimeve profesionale për përgatitjen e hapave të ardhshëm. U krye një aplikim formal dhe i hapur për profesionistë të fushave të psikiatrisë, psikologjisë dhe punës sociale të cilët ishin të interesuar për tu trajnuar në disiplinën e psikoterapisë.
Të gjithë aplikantët fitues së bashku me grupin nismëtar e ndjenë të nevojshme që ky proces të zhvillohej nën ombrellën e një oganizate të pavarur jo qeveritare. Ky zhvillim u pasua me krijimin e Shoqatës Shqiptare për Psikoterapinë e cila zhvilloi mbledhjen e saj themeluese më 8 Mars të vitit 2002.
Qëllimet dhe objektivat
SHSHP është një organizatë jo fitimprurëse, e cila ka për qëllim:
- Zhvillimin e shkencës dhe profesionit të Psikoterapisë në Shqipëri.
- Sigurimin e standardeve të larta të etikës, të kualifikimit dhe të ushtrimit të psikoterapisë.
- Të promovojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ideve mes profesionistëve dhe organizatave që veprojnë në fushën e Shëndetit Mendor, arsimit, përkrahjes sociale, burimeve njerëzore, etj., duke inkurajuar krijimin e kontakteve me shërbimet përkatëse dhe duke mbështetur kualifikimet dhe kërkimet në disiplinën e psikoterapisë.
- Të sigurojë standardet e trajnimit dhe praktikës së psikoterapisë nëpërmjet Certifikatës Shqiptare për Psikoterapinë.
Aktivitete
Më poshtë mund të lexoni një listë me aktivitete të SHSHP nga fillimi i aktivitetit të saj. Për disa nga këto aktivitete mund të merrni informacione të hollësishme duke shfletuar faqen “Me te fundit”.
2003-2004. Trajnimi online SEPTIMUS i organizuar nga EAP dhe Universiteti i Shefildit, UK.
Korrik 2005. Takim me një grup psikoanalistësh nga Institute for Psychanalyses and Psychotherapy në New Jersey (www.cppnj.org). Diskutimet u fokusuan mbi temat: Mekanizmat mbrojtës dhe përdorimi i tyre si material terapeutik; Analiza e ëndrrave; Transferenca e kundërtransferenca. Pjesë e këtij grupi psikanalistësh ishin: Julie Gardinier Ph.D, Cecele Kraus MSW, LCSW dhe Gerald Kraus MA.
Gusht 2005. Takim me Shelley Orren – King, CSW, drejtore ekzekutive e Gestalt Center for Psychotherapy and Training në New York (www.gestaltnyc.org). Temat e diskutuara në këtë takim ishin: Teoria e vetë-rregullimit organismik për të mbijetuar dhe rritur; Teoria e shtresave; Mjete dhe ndërhyrje për integrimin.
2002 – 2007. Trajnimi në Psikoterapinë Psikoanalitike.
19 – 21 Tetor 2007. Kongresi i I-rë Shqiptar i Psikoterapsë me temë: Konfliktet në familje – në kërkim të zgjidhjeve.
2008 – 2013, Trajnimi i Psikodramës në bashkëpunim me Institutin e Psikodramës së Beogradit, Serbi (www.ip.org.rs).
12 – 14 Dhjetor 2014. Kongresi i II-të Shqiptar i Psikoterapisë me temë: Psikoterapia si mjet parandalimi, trajtimi dhe integrimi social.
2002 – 2014. Bisedat Psikoterapeutike kanë qenë ndër aktivitetet më interesante të organizuara nga SHSHP gjatë gjithë ekzistencës së saj. Keto aktivitete janë mbështetur vazhdimisht nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur – Soros. Një listë me temat si dhe materiale të përdorura gjatë këtyre bisedave mund ti gjeni në seksionin Aktivitete dhe Publikime.