Psikoterapia
Psikoterapia është terapia, që përmes të folurit ndihmon njerëzit të kuptojnë më mirë shqetësimet, vështirësitë e tyre, të njohin shkaqet dhe motivet e problemeve që kanë dhe të gjejnë mënyra të reja më të shëndetshme për t’u përballur me to si dhe të ndryshojnë mënyrën e të menduarit e të sjelljes në funksion të një jete më të mirë e të qetë mendore.
Disa nga psikoterapitë kryesore që përdoren aktualisht në botë dhe të njohura nga Shoqata Europiane e Psikoterapisë janë si më poshtë:
Psikanaliza
Psikanaliza është forma e parë e psikoterapisë zhvilluar nga Sigmund Freud. Ajo bazohet në teorinë e të pandërgjegjshmes, sipas së cilës gjatë periudhës së fëmijërisë mendime e ndjenja të papranueshme shtypen në të pandërgjegjshmen e fëmijës, por që vazhdojnë të ndikojnë ndjenjat, mendimet, emocionet dhe sjelljet tona prej të rrituri. Këto ndjenja të shtypura shpesh dalin në sipërfaqe në moshën e rritur në formën e konflikteve apo çrregullimeve të ndryshme psikologjike. Psikoanaliza eksploron pikërisht këto aspekte të pavetëdijshme të klientit përmes analizës, konfrontimit të mekanizmave mbrojtës, dëshirave dhe ndjenjave të fajit të tij. Psikoanaliza është një lloj terapie ku klienti ose “i analizuari” arrin të shprehë me fjalë mendimet e tij falë asosacioneve të lira, fantazisë, dhe ëndrrave. Analisti i interpreton ato në mënyrë që klienti të kuptojë më mirë veten dhe zgjidhjet e mundshme të problemeve të tij në jetë. Marrëdhënia mes klientit dhe analistit i jep mundësi klientit të nxjerrë pa vetëdije në pah modele të marrëdhënieve të hershme me të tjerë mbi të cilat punohet me qëllim përmirësimin e marrëdhenieve aktuale. Psikoanaliza është një psikoterapi afatgjatë dhe intensive për sa i takon shpeshtësisë së seancave psikoterapeutike.
Psikoterapia familjare dhe sistemike
Psikoterapia familjare fokusohet specifikisht te marrëdhëniet familjare. Ajo bazohet në besimin që problemi lidhet me familjen në tërësi dhe jo me individin në veçanti. Kjo terapi përdoret edhe si terapi çifti. Fokusi i kësaj terapie është te marrëdhëniet e ndërveprimet e antërave të familjes duke theksuar rëndësinë që ka një funksionim i mirë i familjes në mirëqenien dhe shëndetin psikologjik të individit. Pavarësisht origjinës së problemit, terapisti familjar përpiqet të përfshijë të gjithë familjen në gjetjen e mënyrave konstruktive të mbështetjes së njëri-tjetrit dhe zgjidhjen e problemit. Psikoterapia sistemike është një term që përdoret për terapinë që trajton njerëzit në marrëdhënie me njëri-tjetrin, ndërveprimet në grup dhe modelet e dinamikat e tyre. Terapia sistemike rrjedh nga terapia familjare dhe i trajton problemet më shumë në planin praktik se analitik. Ajo nuk kërkon shkaqet, apo nuk bën diagnozën e problemit, por identifikon modelin e sjelljes që ka krijuar ngërçin brenda grupit ose familjes dhe punon drejtpërsëdrejti me këtë model. Terapsiti në këtë lloj terapie përpiqet të krijojë shtysa të mjaftueshme për të ndryshuar sistemin ekzistues dhe e mbështet këtë ndryshim. Terapia sistemike mund të përdoret në fushën e edukimit, psikiatrisë, punës sociale dhe mjekësinë e familjes si dhe në fushën e biznesit.
Psikoterapia e sjelljes dhe njohjes
Psikoterapia e sjelljes dhe njohjes është një terapi afatshkurtër që kombinon teknikat e terapisë së sjelljes me ato të terapisë së njohjes. Ajo bazohet tek puna e terapistit me besimet, supozimet, perceptimet dhe sjelljen e klientit, duke i konsideruar si shkaktarë të emocioneve negative të tij. Disa nga teknikat terapeutike përfshijnë mbajtjen e një ditari për ngjarjet më të rëndësishme dhe ndjenjat që shoqërojnë ato, mendime dhe sjellje, diskutimi i mendimeve, supozimeve, vlerësimeve dhe besimeve jo realiste dhe pesimiste që ka klienti; përballimi gradual i situatave që klienti shmang, gjetja e mënyrave të reja të reagimit dhe sjelljes. Gjithashtu përdoren teknika relaksuese për të qetësuar ankthin që mendimet e besimet jorealiste krijojnë. Terapisti që ushtron këtë metodë psikoterapeutike është mjaft më i hapur, direktiv dhe aktiv karhasuar me metodat e tjera si psikoanaliza e të ngjshme me të, dhe e orienton klientin përmes detyrave, që janë pjesë e teknikave të kësaj psikoterapie, drejt zgjidhjeve praktike të problemit të tij. Psikoterapia e sjelljes dhe e njohjes bazohet në teorinë që sjellja e mësuar në të kaluarën mund të çmësohet apo të modifikohet në të tashmen, pa qenë nevoja të merresh me shkaqet dhe origjinën e kësaj sjellje. Njerëzit që vuajnë nga çrregullimi obsesiv kompulsiv, frikëra të ndryshme, fobi dhe varësia mund të përfitojnë nga kjo lloj terapie. Kjo terapi ka si qëllim kryesor të ndihmojë klientin të modifikojë sjelljet jo normale ndaj stresit, ankthit, etj dhe të arrijë qëllimet që vendosen bashkë me klientin në fillim të procesit të terapisë.
Psikoterapia me personin në qendër
Psikoterapia me person në qendër e zhvilluar nga Carl Rogers është një prej terapive me orinetim humanist. Ajo bazohet në supozimin se një njeri që ka nevojë për ndihmë e mbështetje që të zgjidhë problemet e tij mjafton të përfshihet në një marrëdhënie me një terapist që nuk gjykon dhe që e lejon të shprehë lirshëm ndjenjat dhe emocionet e tij. Kjo lloj psikoterapie njihet ndryshe edhe si këshillimi roxherian. Sipas kësaj shkolle, klienti konsiderohet si zotëruesi më i mirë i eksperiencave të tij dhe si i aftë për të shfrytëzuar potencialin e tij dhe të zgjidhë problemet që ka. Këshilluesi ofron një marrëdhënie ku klienti ndihet i vlerësuar pa kushte, i kuptuar dhe empatizuar, gjë që e bën atë të përballet me ndjenjat negative dhe të zhvillojë burimet e brendshme për të ndryshuar e përmirësuar veten.
Psikoterapia geshtaltiste
Psikoterapia geshtaltiste ka për autor Fritz Perls dhe është e ndikuar nga psikologjia geshtalte dhe filozofia ekzistenciale. Ajo udhëhiqet nga besimi se njeriu ka një prirje natyrore drejt shëndetit dhe mirëqenies, por janë modelet e vjetra të sjelljes dhe idetë e fiksuara që pengojnë ciklin e natyrshëm të mirëqenies dhe për pasojë edhe marrëdhëniet me të tjerët. Terapia geshtaltiste fokusohet në të tashmen, duke besuar që vetëm duke jetuar momentin, të tashmen, klienti mund të marrë përgjegjësi për veprimet dhe jetën e tij. Terapisti geshtaltist përpiqet përmes ndërhyrjeve të tij ta ndërgjegjësojë klientin për çfarë ndodh në moment, çfarë thuhet, për gjuhën e trupit, ndjenjat e shtypura. Rezistenca e klientit për të qëndruar në të tashmen, në atë që ndodh gjatë terapisë tregon dhe rezistencën e tij për të ndryshuar, të cilën terapisti e identifikon dhe e bën subjekt të punës terapeutike.
Psikoterapia ekzistencialiste
Psikoterapia ekzistencialiste ka si qëllim të mbështesë klientin t’i japë kuptim jetës së vet përmes vullnetit për t’u përballur me të dhe problemet e saj. Bazuar në filozofinë ekzistencialiste, jeta nuk ka një kuptim të përcaktuar, por njeriu vetë duhet ta gjejë ose krijojë atë duke qenë totalisht i lirë dhe përgjegjës në të njëjtën kohë. Terapia ekzistencialiste mbështet klientin për të bërë një jetë sa më autentike dhe të qëllimtë duke pranuar kufizimet dhe kontradiktat e qenies humane. Ajo zhvillon një proces eksplorimi si të kaluarës së klientit ashtu edhe të përvojave e qëndrimeve aktuale në lidhje me çështjet e të qenit ose të përgjegjësisë për veprimet e zgjedhjet e veta.
Logoterapia
Logoterapia ashtu si psikoterapia ekzistencialiste ndihmon personin të gjejë kuptimin e tij personal në lidhje me një situatë apo rrethanë të caktuar si dhe me të tjerët. Kërkimi i këtij kuptimi është njëkohësiht kërkimi i lirisë personale për të ekzistuar ose jetuar për një qëllim mjaft praktik ose thjesht ekzistencial dhe etik. Këto qëllime mund ta ndihmojnë personin të përballet me fatin, sëmundjet fizike apo mendore, me humbjen, deprivimin deri dhe vdekjen. Logoterapia u krijuan nga Viktor Frankl fillimisht si një shkollë që integronte psikoanalizën me psikologjinë individuale të Alfred Adlerit, por që u zhvillua më tej si një qasje më vete psikoterapeutike.
Psikodrama
Psikodrama konsiderohet si forma origjinale e psikoterapisë së grupit. J.L.Moreno ai që e zhvilloi psikodramën ishte i pari që përdori frazat “terapi grupi dhe “psikoterapi grupi”. Në thelb të saj, psikodrama si terapi ka përdorimin e metodave aktive të thelluara me qëllim eksplorimin dhe korrigjimin e çështjeve që identifikohen në grup. Psikodrama mund të përdoret në terapi personale ose grupi, si për qëllime terapeutike ashtu edhe për rritje personale. Ajo mund të aplikohet edhe në terapitë e familjes dhe terapinë e çiftit dhe është e përshtatshme për çdo moshë, si për fëmijët e vegjël edhe për të rinjtë e moshat e rritura. Duke qenë shumë e larmishme si terapi, ajo mund të përdoret në kontekste të ndryshme si spitale, shkolla, qendra të shëndetit mendor, etj.
Psikodrama është për këdo që do të donte të përjetonte spontanitetin dhe “magjinë” e të punuarit përmes metodave aktive. Ajo i vjen në ndihmë çdo individi pavarësisht nëse fokusi dhe synimi i tij është personal, profesional, terapeutik apo trajnues. Ajo mundëson eksplorim krijues të vetes, marrëdhënieve dhe vetë jetës së individit përmes veprimeve dhe fjalëve. Kjo metodë i mundëson individëve çlirim, shprehje të vetes dhe ndërgjegjësim më të madh për veten.
Psikodrama si formë eksperienciale e terapisë lejon korrigjimin e përvojave përmes ripërjetimit e më pas përmirësimit dinamik përmes shprehjes së roleve.
Psikoterapia e artit
Psikoterapia e artit është një terapi që kombinon teoritë tradicionale të psikoterapisë me eksplorimin e krijimeve artistike. Ajo përdor forma të ndryshme arti si pikturën, vizatimin, skulpturën, teatrin ose kërcimin, lëvizjet. Terapisti i artit e shikon artin, krijimin si një shprehje e jashtme e botës së brendshme emocionale të individit. P.sh. kur terapia përdor pikturën si mjet shprehës, marrëdhënia midis masës, formës, linjave, dritëhijes, ngjyrës, tonit dhe distancës së shprehur në pikturë zbulon se si e percepton realitetin klienti ose pacienti.
Psikoterapia e grupit
Psikoterapia e grupit është një degë e psikoterapisë që u vjen në ndihmë njerëzve që duan ose kanë nevojë të përmirësojnë aftësitë e tyre të përballjes me problemet dhe vështirësitë e jetës në grup. Dikush mund të përfshihet në psikoterapi grupi krahas terapisë individuale kur kjo gjë është e rekomandueshme. Në terapinë e grupit një ose më shumë terapistë punojnë me një grup të vogël klientësh. Kjo formë terapie është jo vetëm më efikase dhe me kosto më të ulët, por ka edhe përfitime të tjera që nuk merren nga terapia inidviduale. Për shembull, problemet ndërpersonale trajtohen shumë më mirë në grup. Teknikat që përdoren në grup janë të ndryshme dhe bazohen në teori e shkolla të ndryshme. Në grup punohet me përvojën e kaluar të anëtarëve të grupit, përvojën jashtë grupit terapeutik dhe me marrëdhëniet midis anëtarëve dhe terapistit. Sigurisht që këto ndërveprime mund të mos jenë vetëm positive, duke qenë se problemet e secilit anëtar në jetën e përditshme reflektohen në marrëdhëniet në grup. Në të njëjtën mënyrë edhe procesi terapeutik që ndodh në grup mund të tejçohet dhe reflektohet në jetën reale të anëtarëve të grupit. Në terapinë e grupit, përzgjedhja e anëtarëve bëhet me kujdes nga ana e terapistit ose terapistëve në mënyrë që të ndihmohet procesi terapeutik.
Analiza bioenergjitike
Analiza bioenergjitike është një formë e psikoterapisë së trupit e cila i ka rrënjët në teorinë psikoanalitike, e zhvilluar fillimisht nga Wilhelm Reich. Ndryshe nga psikoanaliza, e cila fokusohet te ëndrrat, fantazitë dhe mendimet e ndjenjat, kjo metodë psikoterapeutike përqendrohet në shprehjen e trupit, nëpërmjet gjesteve, mimikës, zërit dhe mënyrës së frymëmarrjes. Ajo i konsideron trupin, mendjen dhe shpirtin si një njësi e vetme, ku secila pjesë ndikon te tjetra, dhe ndërhyrja terapeutike në njërën prej tyre mund të ketë efekt edhe te pjesët tjera. Kjo metodë psikoterapeutike bazohet në konceptin e “energjisë së jetës”, sipas të cilit shprehja somatike, psikike dhe afektive kontrollohet nga një mekanizëm i përbashkët biologjik i varur prej energjisë. Kjo formë psikoterapie gjen përdorim për të rriturit që vuajnë nga çrregullime neurotike dhe psikosomatike. Ajo bazohet në eksplorimin e jetës aktuale të personit, historisë së tij të zhvillimit si dhe në vëzhgimin e shprehjes së trupit, posturës, tensioneve muskulare, bllokimeve në zona të caktuara, si për të kuptuar origjinën e problemit ashtu dhe për të njohur mundësitë e kapacietet e klientit për të përmirësuar gjendjen e tij psikologjike.
Analiza transaksionale
Analiza transaksionale mbështetet në disa teori psikologjike, ku përfshihen si psikoanaliza ashtu dhe teoria e njohjes dhe sjelljes, të cilat integrohen në një filozofi humaniste dhe mbështeten te marrëdhënia terapeutike. Themeluesi i kësaj qasjeje psikoterapeutike është Eric Berne, i cili u përpoq ta demistifikonte psikoterapinë duke theksuar se mundësia e ndryshimit në psikoterapi gjendet te vetë individi, te vetë natyra njerëzore e cila nënkupton përgjegjësinë për veten, për të jetuar në harmoni me veten dhe me të tjerët. Berne futi risinë e kontratës me klinetin, me anë të së cilës ai ftonte klientin të përcaktonte vetë qëllimet dhe planin e terapisë. Kjo formë psikoterapie mund të përdoret me efektivitet si një ndërhyrje e shkurtër ashtu si dhe një formë e thelluar psikoterapie, si në terapi individuale ashtu dhe e çiftit, grupi apo më gjerë.
Psikoterapia e trupit
Psikoterapia e trupit është jo thjesht një medotë psikoterapeutike, por një rrymë më vete në fushnën e psikoterapisë dhe më gjerë. Kjo rrymë ofron një model të zhvillimit, një teori të personalitetit, ofron hipoteza që shpjegojnë origjinën e çrregullimve të ndryshme mendore e psikologjike si mjaft rezultate kërkimesh në biologji, neurofiziologji, antropologji, neonatologji, etj. Ideja kryesore mbi të cilën bazohet psikoterapia e trupit është fakti që trupi është i gjithë personi, nuk është thjesht “soma” e shkëputur nga mendja “psyche”, por ka një njësi funkionale midis trupit dhe mendjes. Nuk ka një marrëdhënie hierarkie midis tyre por ato janë të dyja aspekte ndërvepruese të një të tëre. Psikoterapia e trupit kërkon një nivel të lartë njohurish e aftësish në lidhje me komunikimin jo verbal, proceset psikosomatike, sinjalet e fshehura të trupit. Disa prej teknikave të përdoruara në psikoterapinë e trupit janë prekja, lëvizja dhe frymëmarrja. Edhe pse për një kohë të gjatë kjo formë psikoterapie është lënë mënjanë si e papranuar, ajo është shkencërisht e validuar nga Shoqata Europiane e Psikoterapisë dhe ofron një sërë modalitetesh.
Terapia e realitetit
Terapia e realitetit është një terapi që përpiqet t’i mësojë njerëzit të kuptojnë nevojat e tyre si të tilla që janë zhvilluar gjatë evolucionit të species sonë dhe që i kanë të gjitha qeniet njerëzore; të bëjnë zgjedhje më të mira për të plotësuaa këto nevoja; të marrin kontrollin e jetës së tyre në dorë dhe të bëhen më të pushtetshëm për të përballuar streset dhe problemet e jetës së tyre. Psikoterapisti që ushtron terapinë e realitetit e vë fokusin në ndërtimin e një marrëdhënieje besimi, empatike që në fillim të terapisë, e cila mund ta shoqërojë klientin edhe jashtë zyrës së psikoterapistit. E kaluara e klientit nuk diskutohet gjatë terapisë edhe pse mendohet që ka rolin e saj të padiskutueshëm në problemete aktuale të tij, por nuk është aq e rëndësishme sa nevoja për të ndërtuar një marrëdhënie të mirë dhe të rëndësishme në të tashmen. Po kështu edhe simptomat e ankesat shihen si një mënyrë që zgjedh klienti për t’u përballur me marrëdhënie të pakënaqshme të së tashmes, prandaj dhe fokusi tek to nuk është i madh. Terapisti e ndihmon klientin të kuptojë që është i vetmi person mbi të cilin mund të ketë kontroll e mund të ndryshojë mendime e veprime të caktuara që çojnë në përmirësim të marrëdhënieve e jetës së tij aktuale.
Psikoterapia Integrative
Shoqata Europiane e Psikoterapisë Integrative përcakton si integrative çdo metodë apo orientim në psikoterapi që kombinion dy ose më shumë shkolla teorike të psikoterapisë në mënyrë koherente konceptualisht dhe parimisht duke përfaqësuar një model të integruar më vete. Kjo psikoterapi mbështetet në besimin se asnjë formë e vetme e psikoterapisë nuk është e përshtatshme për të gjithë llojet e situatave. Ajo synon të ndihmojë integrimin e personit duke i’u përgjigjur atij si në nivelin emocional, shpirtëror, kognitiv, sjellor e psikologjik, e duke maksimizuar mundësitë e tij të funksionimit intrapsikik, ndërpersonal e socio-politik brenda kufizimeve të individit si dhe mjedisit jashtë tij. Edhe pse psikoterapisti integrativ është mjaft fleksibël në përdorimin e strategjive dhe teknikave të ndryshme në varësi të problemit, këtë gjë e bën duke ndjekur një linjë të caktuar dhe koherente të ndërhyrjes psikoterapeutike bazuar në të kuptuarit të problemit dhe mbi të gjitha mbi krijimin e marrëdhënies terapeutike. Sipas kësaj qasjeje psikoterapeutike, marrëdhënia terapist-klient ndërtohet mbi bazë të respektimit, ndershmërisë dhe barazisë mes dy personave që përbëjnë këtë marrëdhënie si një kusht i domosdoshëm për të afirmuar integritetin e vetes dhe të tjetrit.
Hipno Psikoterapia
Hipno Psikoterapia është psikoterapia më e vjetër në botë, krahasuar me çdo formë tjetër psikoterapie, duke qenë se hipnoza është përdorur shekuj më parë në kontekste të ndryshme. Hipnoza është një gjendje e alteruar e vetëdijes, arritja e së cilës ndikohet mjaft nga motivimi i subjektit, qëndrimi i tij ndaj hipnozës dhe vullnetit për të ndjekur një proces të tillë. Një seancë tipike hipno psikoterapie përfshin induksionin, strategjinë e trajtimit dhe përfundimin. Gjatë fazës së induksionit terapisti përpiqet ta fokusojë subjektin, kryesisht duke folur me zë të ulët, në një eksperiencë të caktuar imagjinative, ndërkohë që punon edhe për të relaksuar progresivisht muskujt e tij deri në përjashtimin e stimujve të jashtëm. Një person që është mjaft i motivuar, beson te kjo lloj terapie dhe terapsiti mund të jetë gati pas këtij procesi të përfshihet në një terapi që ndryshon sjelljet, mendimet ose ndjenjat e papërshtatshme. Subjekti gjatë kësaj fazë mund të kthehet pas ose të shkojë para në kohë, të provojë teknika të reja të përballimit të problemeve, të mësojë mënyra të shëndetshme të të menduarit në varësi të qëllimeve terapeutike. Në hipno psikoterapiën moderne është mjaft e rëndësishme që klienti të përfshihet aktivisht në vendosjen e qëllimeve terapeutike si dhe të fuqizohet për të përdorur vetë hipnozën në kushte shtëpie. Gjatë fazës së përfundimit, klientit mund t’i sugjerohen mendime, ndjenja ose sjellje që duhet të zëvendësojnë ato të papërshtashmet. Subjekti kthehet më pas gradualisht nga gjendja e alteruar e vetëdijes në gjendjen e përditshme të vetëdijes me stimujt e jashtëm të pranishëm. Përvoja hipnotike diskutohet e analizohet në këtë moment të seancës për t’i dhënë kuptimin e duhur terapeutik si dhe për të përcaktuar qëllimin e seancës së rradhës.
Pyetje të shpeshta rreth Psikoterapisë
Çfarë është psikoterapia?
Psikoterapia është një terapi që, duke përdorur fjalën, synon të ndihmojë klientët të njohin e kuptojnë më mirë vështirësitë e vuajtjet e tyre, të kuptojnë më mirë çfarë i shtyn ata drejt veprimeve që kryejnë dhe të mundin të gjejnë mënyra më të përshtatshme për tu përballur me problemet në jetë dhe vështirësitë e tyre dhe të ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe sjelljen. Psikoterapia nënkupton eksplorimin e ndjenjave, mendimeve, besimeve e bindjeve, ngjarjeve të rëndësishme në jetë, ndonjëherë që prej fëmijërisë dhe të historisë personale në mënyrë të strukturuar me një person të trajnuar për ta bërë këtë gjë mirë dhe në mënyrë të sigurtë. Në varësi të problemit tuaj terapia mund të zgjasë pak ose shumë, nga disa muaj në disa vite. Psikoterapia mund tu ofrohet si të rriturve ashtu dhe adoleshentëve e fëmijëve. Ajo mund t’i ofrohet individit vetëm, një çifti, një familjeje ose një grupi njerëzish me probleme të ngjashme.
A mund të më ndihmojë psikoterapia? Si?
Po. Psikoterapia ka ndihmuar shumë njerëz me probleme të shëndetit mendor ose shqetësime psikologjike, të cilat mund të shfaqen në forma nga më të ndryshmet. Kërkime të shumta mbështesin ndikimin pozitiv të psikoterpisë në cilësinë e jetës së individit si dhe efektin e shtuar pozitiv në përmirësimin e problemeve të shëndetit mendor kur shoqëron trajtimin medikamentoz.
Nëse ju përjetoni vështirësi si më poshtë:
– ankth, vështirësi për tu përqendruar
– stres
– ndiheni i/e dëshpëruar ose bosh
– nuk keni besim në vete, ndiheni i/e turpshme
– keni luhatje të shpeshta të humorit
– keni veshtirësi për të krijuar marrëdhënie të qëndrueshme ose hyni në marrëdhënie të pakënaqshme, që ju dëmtojnë
– keni probleme seksuale
– nuk përballoni dot humbje të tilla si divorcin, lënien e një pune deri dhe vdekjen
– keni çrregullime të të ngrënit
– keni obsesione dhe sjellje komppulsive (rituale, veprime të përsëritura)
– përjetoni atak paniku ose keni fobi
– dëmtoni veten apo vuani varësinë nga substancat
Gjithashtu nëse jeni diagnostikuar me një çrregullim mendor dhe ju kanë rekomanduar psikoterapinë, psikoterapia mund të jetë një alternativë shumë e dobishme në trajtimin e problemit tuaj.
Psikoterapia mund t’ju ndihmojë duke ju dhënë mundësinë të kuptoni më mirë ndjenjat tuaja, çfarë fshihet pas tyre, si mund të kenë ndikuar ngjarje të së kaluarës në mënyrën si ju reagoni në të tashmen ndaj situatave, njerëzve dhe problemeve të ndryshme. Psikoterapia dhe psikoterapisti/ja mund t’ju ndihmojë të eksploroni emocionet tuaja sado të dhimbshme qofshin, mendimet tuaja irracionale, bindjet jorealiste, idetë dhe veprimet e përsëritura, keqperceptimet dhe paragjykimet të cilat ju marrin mjaft kohë dhe energji në jetën tuaj të përditshme, ju bëjnë të pakëndshëm për veten dhe/ose për të tjerët. Përmes këtij eksplorimi dhe teknikave terapeutike dalin në pah kuptime të reja, mënyra të reja të të menduarit dhe sjelljes, më pak shqetësuese.
Përmes takimeve të rregullta, seancat e psikoterapisë, një marrëdhënieje profesionale e të sigurtë, një angazhimi serioz nga ana juaj për të ndryshuar situatën në të cilën ndodheni, ju mund të ndieni gradualisht rezultatet e punës së përbashkët mes jush dhe psikoterapistit/es.
A mund të dëmtojë psikoterapia?
Psikoterapia është një ndërhyrje që synon veçse shëndetin psikologjik dhe përmirësimin e funksionimit të individit duke u kujdesur për të, emocionet dhe ndjenjat e tij. Duke qenë se është një eksplorim në thellësi ose jo (në varësi të trajnimit të psikoterapistit/es) të ndjenjave e përvojave personale tuaja ajo mund të bëhet e dhimbshme në momente të caktuara të përballjes me emocione negative dhe kujtime apo përvoja të hidhura. Kjo nuk do të thotë që psikoterapia ju dëmton, përkundrazi ju ndihmon të zbuloni mënyra të reja e të shëndetshme të përballimit e zgjidhjes së problemeve që ju kanë shtyrë të vini në psikoterapi. Për të shmangur çdo keqpërdorim të mundshëm të psikoterapisë nga psikoterapisti/ja bëni kujdes të siguroheni që psikoterapisti/ja juaj ka trajnimin e duhur për të ofruar një shërbim të tillë.
Si të zgjedh psikoterapistin/en tim/e?
Suksesi i terapisë është i lidhur mbi të gjitha me marrëdhënien midis psikoterapistit/es dhe juve. Është shumë e rëndësishme të gjeni psikoterapistin/en e duhur, atë që ju përshtatet më mirë, tek i cili/e cila ju mund të besoni, i cili/e cila mund t’ju kuptojë dhe t’ju ndihmojë të gjeni zgjidhjen e problemeve tuaja.
Fillimisht në zgjedhjen e psikoterapistit/es mund të niseni nga specialiteti ose përvoja që ka psikoterapisti/ja dhe sa përafrohet ai me llojin e problemit që ju keni. Më pas është e rëndësishme që psikoterapisti/ja të ketë kohë e mundësi për të nisur punën me ju dhe nëse koha që ai/ajo propozon ju përshtatet ose jo.
Edhe pasi takoheni me psikoterapistin/en keni kohë të vendosni nëse është ai/ajo i/e duhur apo jo. Ju mund të diskutoni gjatë takimit të parë me të çfarë kërkoni ju nga terapia, nëse trajnimi dhe përvoja e tij/e saj e punës mund t’ju ndihmojë apo jo. Duke qenë se ju takon juve të vendosni mos hezitoni të pyesni dhe të kërkoni sado informacion t’ju nevojitet.
Disa pyetje që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni nëse psikoterapisti/ja që keni përballë është i/e duhur për ju janë:
A do të ndiheshit rehat po t’i tregonit gjëra intime të jetës suaj?
Do të ndiheshit të sigurt me të?
A do të mund të ishit plotësisht të hapur me të?
A ju pëlqen mënyra si sillet, si flet, si ju drejtohet?
Është e kuptueshme që ju nuk mund të dini përgjigjet e sakta që në takimin e parë, por gjithsesi një përshtypje të përgjithshme mund ta krijoni. Mos harroni që në trajtimin psikoterapeutik është thelbësore të keni besim tek psikoterapisti/ja juaj.
Shumë njerëz mund të mos e gjejnë që në fillim psikoterapistin/en e duhur për ta dhe kjo jo për fajin e tyre. E rëndësishme është që në momentin që keni vendosur të bëni psikoterapi, të mos hiqni dorë deri sa të gjeni atë të duhurin/ën dhe të mos humbisni besimin te kjo lloj ndërhyrjeje.
Sa kushton psikoterapia?
Kur psikoterapia ofrohet nga një strukturë shërbimesh private ka një pagesë të caktuar për seancë, e cila mund të variojë nga struktura nga strukturë si dhe nga psikoterapisti/ja në psikoterapist/e. Informacioni i saktë në lidhje me këtë pagesë merret gjatë takimit të parë me psikoterapistin/en, me të cilin mund të diskutohet gjithashtu mundësia e një pagese më të ulët, në rast nevoje, si dhe forma dhe koha e pagesës